Ministrat e 9 vendeve anëtare, letër kryediplomatit europian Borrell

Nëntë vende anëtare të Bashkimit Europian i bëjnë thirrje unionit ta rikthejë si prioritet, integrimin e Ballkanit Perëndimor. Në një letër dërguar shefit të diplomacisë europiane Josep Borrell, ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Austrisë, Greqisë, Kroacisë, Rumanisë, Sllovenisë, Çekisë, Sollvakisë e Irlandës paralajmërojnë se vende të tjera që kanë interesa në rajon po shfrytëzojnë ndihmat për pandeminë, si në rastin e Kinës që ofron vaksina, për të tërhequr drejt tyre vendet e Ballkanit Perëndimor, duke cenuar interesat europiane dhe perëndimore.

Në letrën e publikuar nga portali Euracitv, kryediplomatët e 9 vendeve kërkojnë që në takimin më të afërt të ministrave të jashtëm të unionit në muajin Prill të zhvillohen diskutime stragegjike për rajonin. Shqetësim shprehet sidomos për ngecjen e procesit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Procesi i zgjerimit të BE-së duket se mori vrull të ri në Pranverën e vitit 2020, kur Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë iu hap drita jeshile nga ministrat e BE për të filluar bisedimet e pranimit më vonë atë vit. Sidoqoftë, procesi hasi një tjetër “pengesë” kur Bullgaria bllokoi Maqedoninë e Veriut në vjeshtë për mosmarrëveshjet mbi historinë dhe gjuhën. Vetoja e Bullgarisë ka dëmtuar gjithashtu Shqipërinë, me anëtarët e BE që shikojnë pranimin e Shkupit dhe Tiranës “në një paketë”.

Zyrtarët e BE-së shpresojnë riaktivizimin e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara pas marrjes së presidencës nga Joe Biden, për një mbështetje më të fortë në fuqizimin e ndikimit në rajon, ndër të tjera edhe në dialogun Prishtinë – Beograd.

Tv Klan