Në aeroportin e Kukësit është realizuar të dielën fluturimi i parë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mohoi nga studioja e emisionit Opinion në Tv Klan që kjo gjë të jetë bërë për zgjedhje. Ajo u shpreh se aeroporti është i certifikuar dhe nga 17 Qershori është gati për të bërë fluturime ndërkombëtare.

“Nuk e mendoj si mund të hapet një aeroport për zgjedhje. Duhen vite për të ndërtuar. Kemi 2 vite që punojmë për këtë aeroport. Datën e dorëzimit e ka patur më 24 Prill dhe është dorëzuar një javë përpara. Aeroporti është gati, ka një shpallje, quhet shpallje publikim dhe duhet të rrijë 54 ditë i publikuar për të nisur më vonë të gjitha fluturimet. Certifikata është nga aviacioni civil. Ka një certifikatë sepse askush nuk mund të ulë. Certifikohet nga aviacioni civil shqiptar përmes inspektorëve. Certifikohet në disa fusha siç janë operimet, siç janë pajisjet, siç është siguria. Është aeroport i certifikuar. Është aeroport ndërkombëtar dhe 54 ditë, nga dita e djeshme kur është kryer fluturimi i parë, pra më 17 Qershor ku aeroport do të jetë i gatshëm për të bërë fluturime ndërkombëtare”,tha Balluku./tvklan.al