“Tuneli i Llogarasë, Kashar- Rrogozhinë dhe aeroporti i Vlorës me koncesion”

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kërkuar ndihmën e deputetëve të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese që të ndërhyjnë në mënyrë që të alokohen më shumë fonde vitin e ardhshëm në buxhetin e veprave publike. Ministrja Belinda Balluku tha se jo vetëm që të gjithë projektet e reja që janë propozuar janë refuzuar nga Ministria e Financave, por dhe ato që kanë nisur rrezikojnë financimin.

Çështjen më kritike ajo e lidhi me hekurudhën Tiranë – Durrës – Rinas, ku edhe pse fondi po jepet nga BERZH, është ulur pagesa për shpronësimet dhe TVSH-në, e njëjta problematikë është ndeshur edhe me aksin Qukës-Qafë Plloçë. Fat më të keq, ku nuk është alokuar asnjë fond, e ka patur segmenti Korçë-Ersekë dhe studimi i ndërtimit të rrugës Tiranë-Krujë.

Pavarësisht kësaj situate, Balluku tha se brenda pak ditëve do të shpallet një paketë me 3 projekte të rëndësishme në infrastrukturë të cilat do të bëhen me koncesion përmes investimit privat: Tuneli i Llogarasë, rruga Kashar – Rrogozhinë dhe Aeroporti i Vlorës.

Lidhur me infrastrukturën ajrore, ministrja tha se dhe linja ku aksioner është shtetit shqiptar ‘Air Albania’ do të nisë fluturimet në disa kryqytete europiane me një avion të tretë vitin e ardhshëm, ndërsa pritet zgjerimi i pistës së aeroportit të Rinasit që të nisin fluturimet transoqeanike Tiranë – SHBA.

Lidhur me rrëshkitjen në tunelin e Murrizit në Rrugën e Arbrit, ministrja tha se janë duke u studiuar mundësitë për gjetjen e një zgjidhjeje, ndërsa punimet në pjesën tjetër të rrugës vazhdojnë me intensitet. Në fund të muajit Nëntor do të hapet tërësisht për trafikun të dyja anët e rrugës të By-Passit të Fierit.

Tv Klan