Bllokimi i fluturimeve në Aeroportin e Rinasit është ngjarja me të cilën u fokusuan diskutimet këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Kjo pasi kontrollorët e trafikut ajror që bëjnë pjesë në kompaninë AlbControl lanë punën duke bllokuar çdo fluturim.

Duke komentuar rreth kësaj situate, analisti Baton Haxhiu tha se ministrja Belinda Balluku nuk ka lënë ndërgjegje tek punonjësit e Albcontrol, kompani që ajo e ka drejtuar për 6 vitesh, se si duhet të silleshin me shtetin.

“Nga 6 vjet sa ka qenë udhëheqëse e këtij institucioni më duket se ka lënë shumë pak ndërgjegje tek ata se si duhet të sillen me shtetin. Drejtoresha është edhe edukatore. Nuk mund të shfajësohen aq lehtë njerëzit që udhëheqin institucionin dhe e lënë pastaj që njerëzit marrin vendime brenda natës duke lënë kullën e zbrazët. Kjo është e para. Nga ajo që po shoh dhe të gjitha diskutimet, po shihet që kjo grevë ka nuhatje politike. Janë dy javë para zgjedhjeve. Njerëzit që kanë ndërgjegje nuk e përdorin situatën politike të ndezur”, tha Haxhiu.

Por kjo solli reagimin e ministres Balluku, e cila gjatë një lidhjeje live tha se gjatë drejtimit të saj në AlbControl nuk ka hequr nga puna asnjë nga punonjësit që ishte me Partinë Demokratike ose Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Sa i përket, bllokimit të punës në Rinas, Balluku tha se është organizuar nga një person që është shef shtabi për një kandidat për deputet të PD-së në Shkodër.

“Kam vetëm diçka për Batonin fillimisht që thotë ka ndenjur 6 vjet dhe nuk i ka edukuar mirë. Baton e di çfarë kam bërë me thënë të drejtën? Nuk hoqa nga puna as ata që ishin me PD dhe as ata të LSI-së. Një prej djemve aty që organizon është shef shtabi për një nga deputetet që kandidon në Shkodër për PD-në. E vetmja gjë që kam bërë unë, nuk kam larguar kurrë nga puna asnjë kontrollor që i përkisnin njërës forcë apo tjetrës. I kam respektuar profesionin e tyre. Zoti Hoxha hape Facebook-un e Sali Berishës. Po të përgjigjem pse e përmenda Sali Berishën sot sepse Ilir Metës i bëra thirrje vetëm që të pozicionohej nëse është kjo mënyra si duhet të sillen kontrollorët. Nuk kam thënë gjë tjetër për Ilir Metën. Ndërsa për Sali Berishën po. Hapeni Facebook dhe shikojeni çfarë nxitje ka bërë nga mbrëmë në darkë si ka bërë thirrje të lënë punën. Greva financiare ka datën e gjyqit, ka padinë civile në datë 9. Grevë financiare dy javë para zgjedhjeve është politike pasi është drejtuar nga persona që kanë funksione politike në këtë fushatë”, tha Balluku. /tvklan.al