Zv/Kryeministrja Belinda Balluku tha këtë të mërkurë pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se të gjitha institucioneve shtetërore do t’u kërkohet kursimi i energjisë elektrike deri në 15 përqind. Për këtë do të futet menjëherë në fuqi administratori energjetik i cili do të kujdeset pikërisht për të arritur këtë target.

“Ne duhet të bëhemi shembulli i parë sesi duhet kursyer energjia dhe sa e rëndësishme është kursimi energjisë, për këtë arsye, përmes këtij projekt akti normativ ne kemi vendosur një kërkesë për të gjitha institucionet shtetërore që duhet të kursejnë 15 përqind të energjisë së konsumuar me faturën e një viti më parë. Duke nisur nga të gjitha institucionet shtetërore ne do të fusim menjëherë në fuqi emërimin e një administratorin energjetik , i cili është një punonjës që ekziston sot në çdo ndërmarrje, institucioni shtetëror. Do të emërohet nga titullari i institucionit. Administratori do të ketë si target uljen e konsumit të energjisë me 15 % për ndërmarrjen që përfaqëson”.

Balluku po ashtu tha se në rastin kur një institucion nuk e arrin këtë target për 2 muaj resht atëherë ai do të ndëshkohet me gjobë që arrin deri në 50 mijë lekë.

“Në këtë akt normativ parashikohen edhe masat që do të merren nëse ky target për 2 muaj rresht nuk arrihet nga institucioni. Masa shkon deri në 50 mijë lekë gjobë për drejtuesin e institucionit, administratorin e pronës apo përgjegjësin e emëruar të kësaj ndërmarrjeje”./tvklan.al