Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zgjodhi të dalë në një konferencë për shtyp nga salla e Rinasit, për të treguar hapur pakënaqësitë që qeveria ka me kompaninë koncesionare të aeroportit.

Ajo tha se kontrata që firma ka me shtetin shqiptar është përdorur vetëm për interesa ekonomike nga ana e saj, ndërsa sot ndodhemi në një situatë ku është cënuar siguria kombëtare e vendit.

Balluku deklaroi se përgjegjësia e drejtpërdrejtë për këtë ngjarja bie mbi ata që menaxhojnë aeroportin, të cilët nuk kanë plotësuar kërkesat për të rritur sigurinë në perimetrin e brendshëm të aeroportit, të kërkuara nga institucionet shtetërore, duke u mjaftuar me plotësime kriteresh minimale, e duke gjetur hapësira ligjore në kontratë.

Si institucion që monitoron përmbushjen e kontratës nga ana e koncesionarit, Autoriteti i Aviacionit Civil ka ushtruar kontrolle të shpeshta, ku kanë rezultuar raste të shumta që kushtet e sigurisë nuk janë zbatuar. Për këtë, koncesionari edhe është gjobitur, e vetmja mundësi ndëshkimi tha ministrja Balluku, që lejohet nga kontrata.

Por a sheh ajo përgjegjësi institucionale në këtë ngjarje?

“Është një çështje që duhet hetuar nga Prokuroria”.

Menaxherin e aeroportit në Shqipëri, Belinda Balluku e përkufizoi kështu: 

“Aeroporti bëhet çuditërisht i të gjithë shqiptarëve ditën kur koncesionari dhe management Pelivan ka nevojë për mbrojtje publike dhe ligjore”.

Ajo tha se nuk do të pranojë të ulet në bisedime me të, e se do të presë në një takim Drejtorin e Përgjithshëm të Kompanisë, China Everbright, për të folur mbi problematikën e ndodhur, ku dhe do të kërkojë marrjen e masave emergjente.

“Pas grabitjes që ndodhi në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza në verë të vitit 2016-ë, institucionet publike kanë kërkuar shtimin e masave të sigurisë, por pas kontrollit që ka bërë Autoriteti i Aviacionit Civil, ato kanë rezultuar të papërmbushura. A do të bëhet ky një shkak për të prishur kontratën koncesionare? Kjo do të mësohet vetëm ditët në vijim, pas bisedimeve që qeveria do të bëjë me krerët më të lartë të kompanisë.”

Tv Klan