Ministrja e Transporteve Belinda Balluku ka deklaruar se pas pak ditësh do të përfundojnë punimet për aeroportin e Kukësit dhe do të realizohet fluturimi i parë.

Gjatë prezantimit si kandidate për deputete nga drejtuesi politik i PS në Tiranë, Erion Veliaj, ministrja Balluku tha se ky fluturim në aeroportin e Kukësit do të realizohet më datë 18 Prill.

“Për pak ditë dorëzojmë aeroportin e Kukësit. Në datë 18 Prill do të kemi fluturimin e parë atje dhe dua që të shikoj shumë të gjithë ata që folën për projekte 3D dhe foto të marra nga projekte të tjera se çfarë do të thonë kur Air Albania të ulet atje me 132 kuksianët”, deklaroi Belinda Balluku.

Ministrja e Transporteve foli edhe për rrugën e Arbrit dhe distancën që ka shkurtuar ky projekt.

Pavarësisht se rruga e Arbrit nuk është hapur, por me dëshirën e madhe për ta aksesuar, kam bindur atë rojen që mban traun e rrugës së re që të kalojnë dhe unë kam dëshmi të vërteta të këtyre njerëzve të cilët më kanë treguar se si për 44 minuta janë nisur nga Kombinati dhe kanë arritur në shtëpinë e tyre në Mat. Dhe kanë bërë edhe llogaritë e naftës që u ka kushtuar 7 mijë Lekë të vjetra nga shtëpia e tyre deri në shtëpinë e prindërve”, tha ajo.  /tvklan.al