Edhe pse Presidenti Ilir Meta mbajti një qëndrim publik të dielën, ku kërkoi që qeveria të anulojë të gjithë projektin e Unazës së Madhe për pjesën nga “Rrethrrotullimi i Sheshit Shqiponja te Pallati me Shigjeta”, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se punimet aty do të vazhdojnë për lotet 2 dhe 3, pjesë të aksit të cilat nuk janë përfshirë në skandalin e tenderit me DH Albania.

“Për t’i bërë të qartë kujtdo, një herë e mirë, se projekti është i përmirësueshëm, po jo i bllokueshëm apo aq më pak i anulueshëm. Tirana dhe gjithë Shqipëria që kalon në atë segment kur vjen në kryeqytet, s’mund të merret peng nga askush dhe për asnjë arsye”.

Megjithatë ministrja pranoi që të ketë diskutime për ndryshim të pjesës më të shtrenjtë të këtij segmenti: lotit të parë, i cili u fitua fillimisht nga firma fantazmë “DH Albania” dhe që ende nuk kanë nisur punimet. Vetëm kjo pjesë kushtoi 18 milionë Euro në tenderin e shpallur nga Autoriteti Rrugor.

“Kam vendosur organizimin e një tryeze me Bashkinë e Tiranës dhe specialistë që të vlerësojmë në çdo aspekt teknik projektin e lotit 3, duke mos përjashtuar edhe rishikimin e tij nëse ka vend për një rishikim që e përmirëson projektin, gjë që do ta bëjmë në çdo hap me çdo projekt e në çdo kantier, ku dalin probleme apo lindin ide fituese në të mirë të projektit”.

Belinda Balluku garantoi se asnjë familje që do t’i prishet shtëpia nga ky projekt, nuk do të lihet në mes të rrugës, edhe nëse nuk ka titull pronësie.

“Familje në mes të katër rrugëve, qoftë edhe kur nuk e kanë një titull pronësie ne nuk do të lëmë. Prishjet e godinave që pengojnë projektin do të vazhdojnë pa asnjë diferencim, sipas ligjit”.

Duke nisur nga ky muaj, çdo procedurë prokurimi që do të kryejë Autoriteti Rrugor Shqiptar do të zhvillohet në prani të mediave, të cilat do të ftohen të ndjekin shpalljen dhe miratimin e fituesve të tenderave.

Tv Klan