Pasi ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë Christiane Hohman i dorëzoi zv/Kryeministres Belinda Balluku raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, ato kanë zhvilluar një konferencë me gazetarët.

E pyetur në lidhje me “një nga kapitujt e progres-raportit kur thuhet se politikat e qeverisë për incenerimin bien në kundërshtim me strategjinë europiane për mjedisin dhe riciklimin, se pse vazhdohet që të paguhet akoma për këto projekte”, ministrja Ballaku është shprehur se “inceneraorët nuk janë një shpikje e Shqipërisë”.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Balluku ka theksuar se “inceneratorët përdoren në çdo vend të Europës dhe përdoren si pjesë e riciklimit, e ndarjes të të gjitha mbetjeve dhe të incenerimit të tyre”.

Pyetje: Në një nga kapitujt e progres-raportit flitet dhe për mjedisin dhe thuhet shprehimisht se politikat e qeverisë shqiptare për incenerimin bien në kundërshtim me strategjinë europiane për mjedisin dhe riciklimin, por ndërkohë ju keni paguar miliona euro për inceneratorët dhe këto para janë zhdukur dhe personat që i kanë kontraktuar këto janë në kërkim nga drejtësia. Pse vazhdoni akoma të paguani akoma për këto projekte që bien dhe në kundërshtim me legjislacionin europian?

Belinda Balluku: Përsa i përket projekteve, drejtësia bën detyrën dhe në Shqipëri ka nga 2013 që drejtësia dhe qeveria i kanë rrugët e ndara. Ne nuk ndërhyjmë kurrë në vendimet e drejtësisë. Nuk e kemi bërë kurrë dhe nuk do ta bëjmë dhe madje nxisim drejtësinë që të marrë në shqyrtim të gjitha ato çështje që kanë dritëhije dhe që duhen shqyrtuar. Pra, është një çështje tjetër përsa i përket drejtësisë dhe inceneratorëve. Përsa i përket qeverisë shqiptare dhe mjedisit, progresi që qeveria shqiptare ka bërë në çështjet e mjedisit në 9 vitet e fundit janë të pakrahaueshme me të gjithë progresin e bërë në rajon.

Përsa i përket incenerimit, edhe njëherë, Shqipëria nuk e ka shpikur inceneratorin. Nëse patentën e inceneratorëve do ta mbante Republika e Shqipërisë, do të kishim bërë emër, por nuk e kemi shpikur ne. Inceneratorët përdoren në çdo vend të Europës dhe përdoren si pjesë e riciklimit, e ndarjes të të gjitha mbetjeve dhe të incenerimit të tyre./tvklan.al