Kompania fituese e përzgjedhur për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës “Mabco Construcion”, ku 50% e saj zotërohet nga politikani Behgjet Pacolli, është një çështje që u diskutua me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në Klan News.

Në një intervistë me gazetarin Bes Jacaj, Balluku tha se procedura për fituesin e ndërtimit  të aeroportit ka qenë e hapur dhe një tender kombëtar ku ka pasur mjaft të interesuar, por që ishte Pacolli ai që kishte guximin t’i shkonte deri në fund kësaj gare.

“Ka qenë një procedurë e hapur, ka qenë një tender ndërkombëtar. Kemi pasur shumë entitete të interesuara për garën, por edhe ka pasur vizita në Shqipëri për të parë zonën. Por, pa dyshim për shkak të kushteve shumë të vështira që janë krijuar në industrine e aviacionit nga Covidi, ka pasur tërheqje.”

Duke qenë e ditur se Behgjet Pacolli është ofruar për ndërtimin e një pallati në Fushë Krujë pas tërmetit të Nëntorit, Balluku siguroi se nuk ka asnjë lidhje me tenderin e dhënë për aeroportin.

“Pacolli nuk ka si të shpërblehet përmes një garë tranpsarente, ku kanë pasur mundësi të marrin pjesë të gjithë. Pacolli ka pasur guximin të qëndrojë deri në fund të kësaj gare.”

Balluku shtoi se për Pacollin, ndërtimi i aeroportit të Vlorës përveç një biznesi është edhe sfidë personale.

“Pacolli e ka edhe një sfidë tjetër, jo thjesht një biznes në fushën e aviacionit, pasi ka dashur prej kohësh që të ndërtojë në Shqipëri një vepër që do të mbajë shenjën e tij,” është shprehur ajo.

Kujtojmë se ndërtimi i aeroportit në qytetin bregdetar jugor, është një projekt që do të kushtojë plot 103.9 milionë Euro.

Klan News