Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku teksa shqyrtoi në Komisionin për Ekonominë dhe Financat buxhetin dhe investimet e parashikuara për 2025, u ndal tek disa nga projektet më të rëndësishme. Një prej tyre është dhe Unaza e Madhe e Tiranës e cila sipas Ballukut është në fazën finale të punimeve.

“Jemi në përfundim të këtij projekti fizikisht, por financiarisht sigurisht që duhet të mbulohet dhe me projektbuxhetin e vitit 2025. Jemi tashmë në fazat e fundit, pra këto janë dy muajt e fundit për dorëzimin e kësaj vepre gjigande infrastrukturore, që me të vërtet quhet Unaza e Tiranës, por ndërkohë luan një rol rregullator për të gjitha autostradat”.

Balluku shtoi se pjesë e projektbuxhetit të vitit të ardhshëm janë edhe investimet në Tunelin e Llogarasë dhe disa nyje lidhëse me të.

“Duke përfunduar tashmë të gjitha detajet e tunelit të Llogarasë, duke përfunduar ndërtesën e monitorimit të atij tuneli, lidhjen që do të ketë me rrugën e re, ura e Shën Elizës dhe porti i Jahteve dhe me rrugën e re Palasë-Dhërmi”.

Në qarkun e Vlorës do të jetë edhe një hekurudhë që lidhet me Aeroportin Ndërkombëtar të këtij qyteti, nënvizoi Balluku.

“Një hekurudhë e cila do të jetë shumë e nevojshme tashmë, ajo që do të lidhë Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës me qytetin e Vlorës dhe gjithashtu me linjën ekzistuese e cila shkon në Fier dhe lidhet me Rrogozhinën”.

Po në rrjetin hekurudhor, një tjetër investim tepër i rëndësishëm është edhe në linjën Durrës-Rinas-Tiranë.

“Për sa i përket shpenzimeve kapitale me financim të huaj, investimet prioritare që sigurojnë mbështetje buxhetore për periudhën 25-27 janë linja hekurudhore Durrës-Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i linjës së re hekurudhore për Aeroportin e Rinasit. Ky është një projekt i financuar nga kredia e BERZH, e cila ka akorduar një kredi prej 36.87 milionë euro. Ndërkohë që Bashkimi Europian këtu ka akorduar një grand 35.43 milionë euro”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh në komision se në fokus të fondeve për vitin 2025 janë edhe projektet në rrjetin e Ujësjellës Kanalizime në disa zona të vendit.

Klan News