Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken vendosi të shtyjë për një kohë tjetër një vizitë të planifikuar më parë në Kinë dhe që duhet të niste këtë të premte.

Shkak u bë kjo balonë misterioze në qiejt amerikanë që vunë në alarm autoritetet. Dyshimet ishin se objekti fluturues që kishte qëndruar për disa orë mbi disa baza ushtarake amerikane po grumbullonte informacione sekrete.

Ministria e Jashtme e Kinës i hodhi poshtë këto pretendime dhe tha se balona ishte për qëllime civile meteorologjike dhe qëllime të tjera shkencore, duke shprehur keqardhje që ajo kishte humbur rrugën në hapësirën ajrore të Shteteve të Bashkuara.

Por Uashingtoni e konsideroi këtë një shkelje të qartë të sovranitetit dhe ligjit ndërkombëtar duke e konsideruar një ngjarje të papranueshme. Autoritetet amerikane urdhëruan ngritjen e avionëve F-22 për të qenë gati në rast se urdhërohet që objekti të qëllohet. Krerët e ushtrisë sugjeruan rrëzimin e balonës në një zonë në Montana, por Presidenti Biden nuk e autorizoi urdhrin për shkak të rrezikut që mund të sillnin mbeturinat gjatë rënies në tokë.

Shtyrja e udhëtimit të Blinken në Kinë është një tjetër goditje për marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve gjatë kohëve të fundit.

Tv Klan