Opinion– Bamir Topi, një nga figurat kryesore politike në Shqipëri, ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” më 16 Maj të vitit 2002, në cilësinë e nënkryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Gjatë intervistës përballë gazetarit Blendi Fevziu, Bamir Topi foli lidhur me problemin më kompleks të asaj periudhe në politikë që kishte të bënte me zgjedhjen e Presidentit. Sipas tij, skena politike ishte e polarizuar dhe po shkonte drejt një kaosi total. Ai gjithashtu u shpreh se kandidatura e Nanos nuk i shërbente një klime konsensuale.

“Unë mendoj se problemi i Presidentit është disi kompleks dhe nuk ka lindur këto ditë. Është një problem i hershëm dhe mendoj se jemi në fazën e deklaratave politike dhe akoma nuk ka një pozicion zyrtar të institucionalizuar. Ka disa arsye për ta parë në retrospektivën e afërt. Problemi i Presidentit lindi që në periudhën parazgjedhore ku në mënyrë të dukshme u vunë re simptomat e një përgatitje të numrit 84 të votave të mazhorancës, gjë që u manifestua haptazi me manipulimin e zgjedhjeve në tërësi, por sidomos me manipulimin gati-gati matematikor të zonës 60-të, që presupozonte numrin 84. Ky është në prelud i një situate të paracaktuar që në zgjedhjet e 24 Qershorit. Situata tani është bërë disi më e agravuar, pasi nuk është më ajo situatë në Partinë Socialiste, aty ka një krizë që demonstrohet me daljen në skenë të disa individëve që kanë grupe të caktuara pas. Kanë konflikt interesash lidhur me pozicionet nëpër institucione. Por do të thosha që ka edhe një klimë politike të ndezur, gjë që demonstron se nuk realizohet kollaj ajo figurë konsensuale.

Në këtë klimë të polarizuar të shoqërisë shqiptare është e vështirë të dalësh në një figurë konsensuale. Nuk duhet menduar që në Shqipëri ka vetëm 2-3 individë që gëzojnë të drejtën për t’u katapultuar në pozicionin e kreut të shtetit. Unë mendoj se partitë e opozitës janë kompostuar mirë në këtë situatë të polarizuar në politikë dhe kanë qenë refleks i atyre që kanë reflektuar faktorët ndërkombëtarë. Skena politike është e polarizuar dhe po shkon drejt një kaosi total, ka humbur çdo lloj ekuilibri dhe vendosja e kandidaturës së zotit Nano në mënyrë absolute nuk i shërben një klime konsensuale. Besoj se zoti Nano i ka shanset e pakta për të kaluar në atë pozicion. As Presidenti aktual Mejdani nuk shikohet si figurë konsensuale”, tha Topi. /tvklan.al