Fondacioni Fundjavë Ndryshe, përmes donacioneve të kompanisë Philip Morris, ka bërë të lumtur një tjetër familje të prekur nga tërmeti, duke u dhuruar një fillim shpresë plot në banesën e re. 

Familja Lasha nga Durrësi përbëhet nga 4 anëtarë, dy prindër të sëmurë me sëmundje mendore e fizike dhe dy vajza të mitura. Ata e kishin të pamundur sigurimin e një strehe pasi tërmeti i 26 nëntorit rrënoi tërësisht banesën e tyre modeste.

Prej kohësh familja Lasha jetonte falë ndihmës ekonomike, ku e gjithë shuma shkonte për blerjen e ilaçeve për kryefamiljarin e sëmurë me epilepsi. Pas tërmetit banesa e tyre u shemb, dhe familja mbeti pa strehim. Kryefamiljarja tregon se edhe pse e sëmurë e gjithë pesha e familjes bie mbi të. Pak kohë më parë ajo apelonte “Nëse kemi një çati për fëmijët edhe bukë të thatë mund të hamë”.

Falë ndihmës së Fundjavë ndryshe dhe donatorit Philip Morris, Familja Lasha ka hyrë në shtëpinë e tyre të re në qendër të qytetit të Durrësit. 

Arbër Hajdari në dorëzimin e shtëpisë u shpreh se “Jemi shumë të lumtur që së bashku me Philip Morris ja arritëm të finalizojmë mundësimin e kësaj shtëpie për ju, që të lini pas krahëve vështirësitë që keni kaluar duke jetuar në godinat e konvikteve të vjetra, që njëherë e përgjithmonë i mori tërmeti”. 

Në emisionin Historia e Fundjavës që transmetohet çdo të diel për të prezantuar raste suksesi por dhe thirrje për ndihmë, pak javë më parë u prezantua dhe rasti i familjes Plaku që falë donacionit të PMI muaji shtator e gjeti në shtëpinë e re. 

Këto dy familje nuk janë të vetmet përfituese të Programit të Rindërtimit,  që u vjen në ndihmë familjeve të prekura nga Tërmeti. Janë 6 familje të cilat këtë vit do të hyjnë në banesa të reja. Këto apartamente, prej tyre 4 në Durrës dhe 2 në Tiranë janë mundësuar falë bashkëpunimit të fondacionit Fundjavë Ndryshe me kompaninë Philip Morris. Si shumë kompani të tjera që u gjetën pranë familjeve të prekura nga tërmeti që tronditi Shqipërinë, PMI dhuroi 300,000 $ në ndihmë të tyre.

Tërmeti me mahniture 6.4 rihter që goditi në afërsi të Durrësit dhe Tiranës më 26 nëntor shkaktoi 51-viktima dhe rreth 900 të plagosur. Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Mbrojtjes u prekën mijëra njerëz, më shumë se 1200 persona janë evakuuar në Thumanë, Tiranë, Durrës, Krujë dhe Lezhë dhe rreth 4000 persona humbën shtëpitë e tyre, ku një pjesë u shpallën të pabanueshme.

Si rezultat i donacioneve të mbledhura anë e mbanë botës, jo vetëm nga kompani por dhe individë, u  mblodhën afro 2 milionë dollarë, të cilat do të shërbejnë për ndërtimin, rikonstruktimin e shtëpive të shkatërruara.