Policia e Firences mëngjesin e sotëm ka bërë të mundur arrestimin e një organizate kriminale të shpërndarjes së drogës, që përbëhej nga 9 shqiptarë dhe 1 italian, ndërkohë që janë në kërkim 2 anëtarë të tjerë të bandës.

Kokaina dhe marijuana e sekuestruar nga policia italiane, që vinte nga Gjermania dhe Shqipëria për në Itali, kryesisht në Firence dhe Prato, u gjend e fshehur në makinat të cilat ishin të destinuara të importoheshin në vendet jashtë BE-së.

Grupi kriminal, me qendër në Firence, u zbulua gjatë hetimeve që kishin për qëllim identifikimin e burimeve të furnizimit të drogës në qytet. Droga vinte në sasi të vogla, por të shpeshta (zakonisht më pak se 1 kg).

Korrierët e drogës ishin anëtarë jo të mirëfilltë të bandës. Dërgesat ishin të maskuara në transportin e makinave për import jashtë BE-së. Banda përdorte automjete të blera në Gjermani për t’u eksportuar më pas për në Shqipëri.

Banda përdorte disa strategji të padëgjuara më parë për të mos i rënë në sy policisë italiane. Nëse njëri prej anëtarëve të bandës arrestohej, trafikimi i drogës ndalonte tërësisht për disa muaj, derisa gjithçka të qetësohej.

Në mesin e të arrestuarve ishte dhe kreu i organizatës, një 32-vjeçar shqiptar, i cili jetonte në Firence dhe që pas arrestimit të një prej anëtarëve të grupit u shpërngul në Erfstadt, Gjermani, duke e kthyer këtë qytet destinacionin e ri të vendimmarrjes së grupit.

Të arrestuarit nuk ishin vetëm shpërndarës droge, por edhe konsumatorë të drejtpërdrejtë. Risia më e fundit e shpërndarjes së drogës së kësaj bande konsistonte në dërgesat e sasive të vogla të drogës në kutitë postare të klientëve./tvklan.al