Mure të çarë, tavan i shembur, shiu që hyn brenda. Këto janë kushtet skandaloze ku jetojnë 6 anëtarë të familjes Ferhati në fshatin Pekish të Peqinit. Banesa e Zyber Ferhatit u dëmtua rëndë nga tërmeti i parë i 21 Shtatorit. Lëkundjet sizmike të para dy muajve prishën trarët e banesës.

Familjarët denoncuan pranë autoriteteve përkatëse dëmtimin që ka pësuar shtëpia. Në apelin që kanë bërë pranë tvklan.al, ata thonë se komisioni shkoi në banesën e tyre pas ankesës së bërë, por më pas nuk u mor asnjë masë. I zoti i shtëpisë u mundua të riparonte dëmet e shkaktuara nga tërmeti, duke lidhur trarët e thyer.

Por, lëkundjet e fundit sizmike të 26 Nëntorit rënduan akoma më shumë situatën. Vajza e vogël e shtëpisë rrezikoi jetën nga shembja e një pjese të tavanit, që për pak sa nuk e zuri poshtë. Muret e banesës u dëmtuan më shumë. Çatia po ashtu. Çfarë bie jashtë hyn brenda. Nëna e vajzës së mitur thotë se po jetojnë në kushte tepër të vështira.

Edhe gjendja ekonomike e tyre është e rëndë. Dy vjehrrit e zonjës nuk marrin pension. Kjo familje jeton vetëm me 38 mijë Lekë të vjetra asistencë dhe nuk kanë asnjë ndihmë tjetër. Ata kërkojnë ndihmë nga shteti dhe apelojnë për t’u strehuar në një banesë të sigurtë. /tvklan.al