Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, iu bashkua nismës për mbjelljen e pemëve në liqenin e Farkës dhe u shpreh e kënaqur për ndryshimet që po ndodhin në Tiranë, sidomos për vizionin që ka përqafuar kryeqyteti.

“Kjo është arsyeja pse njerëzit duan të vijnë në Tiranë, pse duan të vijnë në Shqipëri. Ky është vizioni që ata duan të shohin, që duhet përqafuar, kur mendon si të thithësh investitorë, por gjithashtu edhe mentaliteti i duhur për t’u bërë pjesë e zgjerimit të BE-së. Ky është vizioni që ata duan të shohin dhe kjo është arsyeja pse pasqyroheni në “The Economist”, si edhe pse gjithkush do të vijë për ta vizituar”

, tha ajo, teksa së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe përfaqësues të Korporatës Ndërkombëtare të Financave (IFC), mbolli disa pemë në parkun e liqenit të Farkës.

Kreu i Bashkisë së Tiranës falenderoi Bankën Botërore dhe Korporatën Ndërkombëtare të Financave për kontributin që japin në Shqipëri, ashtu edhe për pemët që i kanë dhuruar qytetit të Tiranës. “Kjo punë nuk bëhet vetëm. Shprehja shqiptare:

“Trimi i mirë me shokë shumë” vlen më shumë se çdo gjë tjetër për aksionin tonë të gjelbërimit. Ndaj, e falenderoj më gjithë zemër IFC-në dhe Bankën Botërore sepse janë jo vetëm operatorë të mëdhenj të zhvillimit në Shqipëri, por edhe të zhvillimit të qëndrueshëm, për investime afatgjata në natyrë, mjedis, gjelbërim”

, tha Veliaj.

Ai shtoi se kushdo që mbjell pemë i kthen natyrës dhe qytetit borxhin e kirijuar në gjithë këto vite tranzicion, si dhe kontribuon në përmirësimin e cilësisë jetës.

“Sa më pranë të jemi me natyrën, sa më shumë t’i kthejmë asaj borxhet që i kemi nga zhvillimi i 27 viteve në Tiranë, ku është menduar vetëm ku do strehohemi, por jo për cilësinë e jetës, më vjen mirë që po mendojmë për cilësinë e jetës. Patjetër që do mendojmë ku do strehohemi, por mund ta rrisim cilësinë për ta trajtuar qytetin nga një konvikt për 1 milionë banorë, në një vendbanim të shëndetshëm për 1 milionë banorë. Diferenca nga konvikti në vendbanim është se vendbanimi ka oksigjen, ka gjelbërim, ka sport, ka aktivitet në natyrë. Ky është ndryshimi cilësor për Tiranën”

, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj theksoi se të kujdesesh për gjelbërimin sot, investon për të ardhmen e qytetit dhe shoqërisë nesër.

“Çdokush prej nesh që e mban mend se si gjyshërit tanë pyllëzuan kodrën e shkretë të asaj që sot është Liqeni i Tiranës para 50 viteve, e kanë të qartë se si do duket pas 50 viteve ky vend tek Liqeni i Farkës. Në fakt, ndryshimi po duket që tani, por unë besoj që më e mira është përpara. Ka ardhur koha të mos mendojmë më shumë për zgjedhjet e ardhshme, se sa për gjeneratën e ardhshme. Kur mendojmë për gjeneratën e ardhshme, ky qytet do të vazhdojë shumë gjatë”

, tha Veliaj.

 

Ndaj, u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë ditët që kanë mbetur deri në 21 Mars për të mbjellë dhe ata pemën e tyre, sidomos në raste festash e gëzimesh. “

Po afron 7 marsi, një sebep tjetër për të mbjellë për mësuesit. Po afron 8 marsi, një sebep tjetër për të mbjellë për nënat dhe për motrat. Po afron 21 marsi, dita kur duam të kalojmë rekordin tonë, të 100 mijë pemëve. Kështu që, cilido qoftë sebepi, mbillni pemë, jetë dhe oksigjen”,

nënvizoi Veliaj.

Përfaqësuesja e IFC në Shqipëri, Laura Qorlazja, vlerësoi vizionin e kryebashkiakut Veliaj për ndërmarrjen e nismës për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, duke krijuar një mjedis të shëndetshëm për brezat e ardhshëm.

“Gjërat e vogla sjellin ndryshimet e mëdha për aq kohë sa ka vizion dhe fokus, të cilën e vëmë re përmes nismës tuaj për ta mbjellë Tiranën. Është një gjë e mirë për brezat e tanishëm, por është një gjë akoma edhe më e mirë për brezat e ardhshëm

”, deklaroi ajo.

Ndërkohë, pas Ermal Mamaqit dhe Rezart Veleshnjes, një tjetër emër i njohur i humorit iu bashkua nismës së Bashkisë së Tiranës për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në kryeqytet. Bes Kallaku zgjodhi që të veshë çizmet dhe uniformën e punonjësve të Bashkisë së Tiranës për të mbjellë pemë të reja, duke kontribuar në këtë mënyrë për një mjedis më të pastër e më të shëndetshëm.

/tvklan.al