Pas shumë përpjekjesh korporata elektroenergjitike ka arritur të marrë një përgjigje pozitive nga Banka Botërore për të përdorur fondin prej 22.4 milion euro që të kryejë importin e energjisë elektrike. Me anë të një shkrese drejtuar kompanive të cilat tregtojnë energji në Shqipëri, KESH zotohet të bëjë të gjithë importin në muajin shtator, nga data 1 deri në 30,  për 24 orë, me kredinë e cila është pjesë e programit për rimëkëmbjen e sektorit energjitik.

Burime zyrtare nga korporata thanë për televizionin Klan që kanë një muaj që dërgojnë shkresa në Bankën Botërore, por përgjigjja për të lëvruar këtë fond mbërriti vetëm përpara disa ditësh. Vonesa pati edhe me një vendim që qeveria duhet të miratonte në qershor, për t’i dhënë kesh-it të drejtën të blerë energji. 

Deri tani fatura që thatësira i ka shkaktuar dy kompanive publike, KESH dhe OSHEE arrin në 80 milion euro, e nëse situata prodhimit të energjisë elektrike vazhdon të jetë e ulët, atëherë kostoja për sistemin energjitik llogaritet të shkojë në 120 milion euro, duke detyruar qeverinë të përdorë edhe fondin që dha për të kryer importet me aktin normativ të buxhetit.

Tv Klan