Banka e Shqipërisë ka blerë në tregun e brendshëm gjatë vitit 2018-ë, 400 milionë euro, ku më shumë se gjysma e kësaj shume është përdorur për të ndërhyrë në kursin e këmbimit valutor. Në fund të mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se nëse do të lindë nevoja, Banka Qendrore do të vazhdojë të ndërhyjë në kursin e këmbimit.

Por kreu i Bankës Qendrore sqaroi se për momentin lëvizjet në tregun e këmbimit valutor me mbiçmimin e monedhës kombëtare po ndikohen nga shkaqe natyrale sezonale, dhe nuk përbëjnë rrezik për inflacionin. Ai nuk dëshiroi të japë një vlerë të euros që mund të bëjë rrezik për tagrin e inflacionit të vendosur nga banka.

Banka Qendrore do të nisë ndërhyrjen me politikën e saj monetare për rritjen e normës së interesit jo më parë se në 3-mujorin e dytë të 2019-s. Për vitin që po mbyllet guvernatori tha se ka patur mjaft sfida dhe se lehtësimi i normës bazë të interesit të lekut ka dhënë efekte pozitive në lehtësimin dhe rritjen e kredisë si dhe në uljen e kostos së borxhit publik.

Tv Klan