Banka e Shqipërisë do të ndërhyjë nëse kriza thellohet më tej

Banka e Shqipërisë do të ndërhyjë nëse kriza thellohet më tej

15:45 26/03/2020

Sejko: Mund të përdorim lehtësimin sasior dhe financimin e defiçitit

Qëllimi i uljes së normës bazë të interesit me 0.5% , duke e çuar atë në minimume historike, synon uljen e kostos së kredisë për bizneset dhe individët në këtë situatë të vështirë ekonomike e likuiditeti për ta, si pasojë e bllokimit nga masat e marra kundër përhapjes së Covid-19.

Në një intervistë për Televizionin Klan, guvernatori Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko thotë se tashmë vështirësitë që po has ekonomia mund të konsiderohen një krizë, e cila nuk dihet sa do të zgjasë dhe sa efekte do të ketë, por Banka Qendrore është e gatshme të marrë masa në çdo situatë.

“Me instrumentet që ne kemi si Bankë qendrore por nga krahu tjetër dhe qeveria me instrumentet që disponon, që kjo periudhë krize të kalojë në mënyrë sa më të mirë menaxhuar. Ulja e normës së interesit nuk është shkopi magjik për zgjidhjen e situatës ekonomike, është vetëm një masë që ndihmon në stimulimin e kreditimit në ekonomi por që patjetër duhet të jetë e ndërthuru me masat e tjera që ka marrë qeveria”.

Një nga masat që Banka e Shqipërisë do të marrë parasysh nëse kriza do të thellohet është edhe politika e njohur si lehtësimi sasior, ku Banka Qendrore blen bono dhe borxhe të qeverisë në mënyrë që të zgjerojë hapësirën fiskale të saj, për të marrë likuiditet në tregje.

“Cili mund të ishte lehtësi sasior, blerja e bonove therësit, e letrave me vlerë të qeverisë shqiptare nëpërmjet sistemit bankar, ose direkt në rastin më të keq”.

Guvernatori Gent Sejko thotë se aktualisht në treg është duke ndodhur edhe dobësimi i monedhës kombëtare për shkak të ndaljes së fluksit të investimeve, tkurrjes së eksporteve dhe turizmit, ndërsa euro pritet të forcohet. Gjasat janë që edhe inflacioni të pësojë një rritje në muajt në vazhdim, por në çdo rast, banka do të marrë instrumentet e saj nëse do të preken parametrat bazë të ekonomisë.

“Turizmi është i bllokuar, investimet e huaja, natyrisht biznesi, remitancat kanë vazhduar por dhe ato do të kenë një efekt, janë një kufizim i prurjeve të euros në ekonominë shqiptare”.

Ai thotë se është duke u përgatitur plani me bankat e nivelit të dytë për të kredituar biznesin e madh përmes garancive që jep buxheti i shtetit.

“Duhen disa ditë për sa kohë të ndërthuren dhe të koordinohen veprimet që këto instrumente të bëhen funksional, pra duhet pak durim”.

Guvernatori thotë se aktualisht është e vështirë të bëhen projeksione për rritjen ekonomike, por nuk përjashton mundësinë e tkurrjes së saj nën nivelin 2%.

 “Do isha shumë i lumtur sikur të kishim rritje 2% dhe këtë vit, mund të jetë dhe më e ulët rritja se 2%”.

Tv Klan




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi