Në një kohë kur institucionet financiare përballen me sfida të reja si dixhitalizimi, rreziqet kibernetike apo presionet për qëndrueshmëri, roli i auditimit të brendshëm bëhet thelbësor për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe transparencës. Në konferencën rajonale të zhvilluar në Tiranë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë nënvizoi rëndësinë që institucioni i tij i kushton auditimit të brendshëm dhe bashkëpunimit me palët mbikëqyrëse.
“Auditimi i brendshëm nuk është thjesht një funksion kontrolli, ai përfaqëson një partner strategjik në mbështetje të objektivave të institucionit, duke ofruar siguri, këshillim dhe vlerë të shtuar. Ai ndihmon në identifikimin e hershëm të risqeve, përmirësimin e proceseve dhe mbrojtjen e integritetit institucional.”
Guvernatori theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes audituesve të brendshëm, të jashtëm dhe autoriteteve rregullatore, si një mënyrë për të garantuar kontroll më efektiv dhe besim më të madh te publiku.
“Ky bashkëpunim nuk nënkupton mbivendosje rolesh, por një ndarje të qartë dhe plotësuese të përgjegjësive, duke ndihmuar në përmirësimin e kontrollit të brendshëm dhe duke krijuar besim tek të gjitha palët e interesuara, përfshirë edhe publikun.”
Banka e Shqipërisë deklaron se do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin profesional të audituesve të saj dhe të përforcojë standardet, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Tv Klan