Gent Sejko: Rreziku për ekonominë e vendit tonë janë nivelet e larta të inflacionit

Banka e Shqipërisë ka rritur me 0.5% normën bazë te interesat, duke çuar në 1.75%. Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës së Bankës Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko shprehet se rreziku për ekonominë e vendit tonë mbetet i lartë për shkak edhe të nivelit të lartë të inflacionit.

“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë me 0.5% normën bazë të interesit nga niveli 1.25% në 1.75%. Të rrisë me 0.5% normën e interesit të kredisë njëditore nga niveli 2.25% në nivelin 2.75% dhe të rrisë gjithashtu me 0.5% përqindje normën e interesit të depozitës njëditore nga niveli 0.25% në nivelin 0.75%.Këshilli Mbikëqyrës i BSH vazhdon të vlerësojë se nivelet e larta të presioneve inflacioniste janë rreziku primar mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se gjatë dy muajve të fundit kursi i këmbimit të Lekut ndaj Euros ka shfaqur tendenca forcimi.

“Kursi i këmbimit të Lekut ndaj Euros ka shfaqur tendenca forcimi gjatë muajve të fundit. Ky forcim i kursit pasqyron hyrjet e larta valutore në përgjigje të sezonit të mirë turistik dhe gjithashtu ndihmon në zbutjen e goditjes së ofertës që vjen nga tregu i huaj”.

Banka e Shqipërisë ka rritur për herë të 3 brenda 4 muajsh normën bazë të interesit për shkak të çmimeve të larta, që pritet të kulmojnë në muajt e mbetur të vitit.

Klan News