Banka e Shqipërisë thotë se kreditimi është rritur, ku vetëm gjatë 2018-ës kredia e re është shtuar me 1.1 miliard Euro, megjithatë Guvernatori Gent Sejko mblodhi në një takim përfaqësuesit e sektorit bankar në vend për t’iu dhënë atyre një mesazh të qartë:

“Sektori bankar duhet të rrisë vëmendjen ndaj kreditimit, si një angazhim me përfitim të ndërsjellë për të dhe për ekonominë shqiptare”.

Kreu i bankës qëndrore e vlerësoi si të gabuar mbështetjen me financime vetëm për dy sektorë: ndërtimin dhe shërbimet, ai kërkoi që bankat të jenë më mbështetëse edhe me sektorët e tjerë.

“Kredia ka pasur një përqëndrim të theksuar në sektorë që prodhojnë mallra e shërbime të patregtueshme, të tilla si ndërtimi rezidencial dhe shërbimi, të cilat janë të orientuara vetëm apo kryesisht ndaj tregut të brendshëm. Një pjesë jo e neglizhueshme e portofolit të kredisë ka shkuar drejt kredimarrësve të ekspozuar dhe të pambrojtur ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit”.

Vazhdimin e politikës së bankës qëndrore për deurizimin e ekonomisë, e kërkoi dhe sektori bankar, por masat e marra për deurizimin për kreun e shoqatës së bankave nuk do të mjaftojnë nëse nuk ulet informaliteti.

“Deurizimi është i rëndësishëm, ne i njohim masat e marra nga të gjithë aktorët, por nuk janë të mjaftueshme. Përgjigjia e sektorit bankar është e njëjtë gjithmonë: ulja e informalitetit, ulja e qarkullimit të parasë “cash” në ekonomi”.

Shoqata e Bankave deklaroi se është e gatshme që të mbështesë me kreditim ekonominë duke e orientuar huadhënien edhe në sektorë të tjerë.

Tv Klan