Më shumë se gjysma e deputetëve, përfshirë dhe ata të mazhorancës, shfrytëzuan vizitën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në Komisionin e Ekonomisë për të marrë opinion se a rrezikohen projektet e paketës 1 miliard Euro të financohen me paratë e drogës.

Gent Sejko ishte i qartë në përgjigjen e tij:

“Bankat do të financojnë projekte të cilat janë të realizueshme, ndërsa raportojnë në mënyrë strikte çdo transaksion të dyshimtë”.

“Çdo devijim nga rregulloret e bankave tregtare ekspozon me risk gjithë grupin, ku shumica e mëmave janë pjesë eurozonës”.

Por Guvernatori pranoi fenomenin e kredisë informale apo të fajdeve pas shqetësimit të opozitës mbi rritjen e sektorit të ndërtimit pa u shoqëruar me shtim të kredisë.

“Si pasojë e krizës kredidhënia në banka është bërë strikte dhe kjo ka stimuluar që individët t’i drejtohen tregut informal”.

Banka e Shqipërisë kërkoi vëmendje nga ekzekutivi për rrezikun që vjen nga skema e pensioneve. Pavarësisht reformës, defiçiti në këtë skemë është në nivele të njëjta me dy vite më parë.

“Defiçiti në skemën e pensioneve është njësoj. 2.5 herë ka qenë, aq ka mbetur. Ne kemi rekomanduar korrektime të skemës”.

Për bankën qëndore dy burimet e zhvlerësimit të Euros në Shqipëri vijnë nga rritja e investimeve të huaja dhe sektori i turizmit.

Tv Klan