Kreditë me probleme rriten lehtë në Gusht

Kreditë më probleme u rritën lehtë në fund të Gushtit të këtij viti, duke arritur në 8.13% të totalit të portofolit të kredisë, ndërsa fitimet e bankave në 8 mujorin e parë të vitit u ulën me një normë 23%.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë huatë e këqija nuk arritën të rriteshin gjatë periudhës së pandemisë. Norma e rritjes nga muaji korrik mbetet e ulët me vetëm 0.1 pikë përqindje dhe larg nivelit 11% që rezultonte ky tregues në Gusht 2019.

Pavarësisht kësaj, fitimet e sektorit bankar janë tkurrur ndjeshëm në këtë periudhë. Në rezultatin financiar të periudhës Janar-Gusht, bankat kanë fituar 103 milionë dollarë, kundrejt 138 milionë dollarëve të fituara në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas analizave të Bankës Qendrore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, shifrat e kredive me probleme mund të rriten gjatë periudhës së dimrit, pasi në Shtator përfundoi moratorumi i shtyrjes së pagesës së kësteve të huave.

Sipas rezultateve të stres-testeve të zhvilluara në sektorin bankar, bankat nuk do të kenë nevojë të injektojnë kapital shtesë nëse rritja ekonomike është negative këtë vit, por nëse do të ketë rënie edhe vitin e ardhshëm nevojat për shtim ta kapitalit llogariten në vlerën e 70 milionë dollarëve.

Tv Klan