Brumbulli: Autorizime për qarkullimin e grupeve të sigurisë

Bankat kanë nisur të përshtaten me oraret e reja të lëvizjes së qytetarëve, por fashat e vendosura nga qeveria kanë krijuar radhë.

Në një intervistë për televizionin Klan, Spiro Brumbulli, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, thotë se dita e sotme ka qenë faze eksperimentale edhe se bankat po përpiqen të ofrojnë shërbimet brenda orareve kur lëvizja e qytetarëve është e lejuar.

Problemet që po hasin sot bankat e nivelit të dytë lidhen me dhënien e autorizimeve për lëvizjen e grupeve të sigurisë dhe furinzimin me “cash” të bankomateve apo riparimin e defekteve.

Lidhur me vendimin e Kryeministrit dhe Bankës së Shqipërisë për të pezulluar këstet e kredisë për kredimarrësit që u është prekur aftësia paguese nga situata e masat e marra kundër përhapjes së COVID-19, shoqata thotë se kjo masë po zbatohet dhe nuk kundërshtohet nga asnjë bankë, vetëm se shtyrja është rast pas rasti për personat që kanë të ardhura të reduktuara nga kjo situatë.

Shoqata e Bankave rekomandon që marrëveshja për shtyrjen e pagesës së kredisë të negociohet përmes telefonit dhe të shmanget paraqitja fizike në degët e bankave.

Tv Klan