Sejko: Po ndryshojmë aktet për mbrojtjen e konsumatorit

Bankat do të detyrohen që të mos vendosin interesa jashtë logjikës së tregut për kredinë konsumatore dhe hipotekore për individët, e në rastin e mospagesës së kësteve në afat, penaliteti nuk mund të rritet pafundësisht, por duke respektuar një tavan prej 30% të vlerës së huasë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko thotë në një intervistë për Televizionin Klan, se këto dy rregullore të reja ndodhen në fazën e konsultimit me grupet e interesit dhe së shpejti do të miratohen duke patur si parim kryesor mbrojtjen e konsumatorëve ndaj abuzimeve.

“Dy janë parimet kryesore: interesi i kredisë nuk mund të rritet më shumë se mesatarja e tregut gjatë 3 muajve të fundit, pra del jashtë logjikës së tij, dhe penaliteti kur kredia nuk paguhet nuk mund të shkojë më shumë se 30% e vlerës së saj dhe ta bëjë të pamundur situatën paguese për klientin, kjo më shumë vlen për institucionet financiare jo-banka.”

Kreu i bankës qendrore sqaron se ndryshimi i rregulloreve vjen në një kohë krize, kur shumë klientë që mund të mos paguajnë në kohë këstet e kredisë mund të penalizohen me vlera të larta. Aktet e reja do të veprojnë mbi kontratat e reja të kredisë që do të nënshkruhen pas hyrjes në fuqi të tyre.

“Kemi patur ankesa nga konsumatorët dhe konstatime nga sektori i mbikëqyrjes bankare, prandaj menduam të marrim masa edhe në një kohë krize, kur mund të presim një rritje të kredive me probleme.”

Por mbi të gjitha guvernatori Gent Sejko i kërkon konsumatorëve të tregohen të kujdesshëm kur lexojnë kontratat e kredisë dhe u bën thirrje bankave dhe sektorit të mikrofinancës që të jenë sa më transparente në kushtet që vendosin në kontratën e huamarrjes.

“ Konsumatorët duhet të tregohen sa më të kujdesshëm dhe të lexojnë mirë dhe me vëmendje kontratat përpara se t’i firmosin, ndërsa bankat duhet të jenë sa më transparente. Çdo mosmarrëveshje mes tyre më pas zgjidhet në gjykatë.”

Banka e Shqipërisë njëkohësisht me këto rregullore është duke ndryshuar të gjithë bazën e akteve të saj, në mënyrë që të jenë në frymën e standardeve të Bashkimit Europian, si në aspektin e mbrojtjes së konsumatorëve, ashtu edhe në operimin e tregut ndërbankar.

Tv Klan