DPPP: Qëllimi kryesor, pastrimi i parave të drogës dhe korrupsionit

Pandemia nuk ka ndalur fenomenin e pastrimit të parave në Shqipëri, duke shfaqur një tendencë rritëse krahasuar me vitin 2019.

Sipas të dhënave të raportuara nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, gjatë vitit 2020 janë raportuar 268 raste në prokurori dhe polici për t’u hetuar, shumica e të cilave kanë patur si indicie raportimin e bankave për transaksione të pajustifikuara.

Institucionet financiare dominojnë sinjalizimin e autoriteteve për transaksione të dyshimta, të ndjekura nga noterët.

Edhe pse gjatë vitit të shkuar nisi të veprojë Operacioni Forca e Ligjit, vlera e bllokimit të pasurive ka pësuar një rënie të fortë, si në asetet e pronave dhe në ato të parave të sekuestruara. Në total janë sektuestruar 1.17 milionë Euro pasuri, nga 8.7 milionë në 2019-n, ndërsa mesatarja shumëvjeçare është 7 milionë Euro bllokime në vit.

Metoda kryesore që dominon në skemat e pastrimit të parave është ajo përmes blerjes së pasurive të patundshme me qëllim pastrimin e parave që burojnë nga trafiku i drogës dhe korrupsioni.

Pavarësisht se shit-blerjet e banesave shihen nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave si një nga sektorët me risk më të lartë, Agjencia e Kadastrës për herë të parë nuk ka referuar asnjë rast të dyshimtë në 2020-n.

Tv Klan