Rikonstruktohen 3 godina në qarkun e Fierit

Fëmijët e 3 fshatrave në qarkun e Fierit e kanë nisur vitin e ri shkollor në mjedise të rikonstruktuara. Shkolla 9-vjeçare “Koli Dimo” në Frashër të Patosit, me 206 nxënës që ndjekin ciklin 9-vjeçar, u rehabilitua falë një investimi prej 100 mijë Dollarësh të kompanisë naftënxjerrrëse, Bankers Petroleum Albania.

 “Prej vitesh kompania Bankers po aplikon një program të zhvilluar për investimet në komunitet që janë shtrirë në shumë sektorë, si rrugë, shkolla, spitale e ujësjellësa”,  u shpreh kryetarja e Bashkisë Patos, Rajmonda Balilaj.

Mbi 200 nxënës të tjerë të shkollës “Koli Dimo” do të mësojnë në kushte më të mira dhe për më tepër të sigurta. Puna për rikonstruksionin e shkollës zgjati rreth 4 muaj. Kjo shkollë është e pesta në Qarkun e Fierit, ku Bankers ka investuar. 

Bankers Petroleum Albania ka investuar mbi 7 milionë Dollarë në projekte në komunitet, në projekte kryesisht me impakt publik, si shkolla, qendra shëndetësore dhe spitale, rrugë, kanalizime dhe ujësjellës.

Drejtuesit e kompanisë konfirmojnë që angazhimi në komunitet do të vijojë në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe qeverinë qendrore.

Tv Klan