Një turist polak 20 vjeç kërkoi ndihmën e policisë pasi dëmtoi këmbën gjatë eksplorimit në zonën e Thethit.

20-vjeçari ishte dëmtuar në disa shkëmbinj në majën e Harapit dhe e kishte të pamundur të vazhdonte ecjen. Uniformat blu organizuan menjëherë punën për të bërë të mundur gjetjen e turistit polak.

Por për shkak të orës së vonë dhe errësirës, ishte i pamundur dërgimi i helikopterit dhe në këto kushte punonjësi i policisë së zonës së Thethit njoftoi banorët për t’i ardhur në ndihmë 20-vjeçarit.

Ka qenë ora rreth 21:30, kur banorët e zonës së bashku me punonjësin e policisë kanë bërë të mundur gjetjen e turistit polak, si dhe transportimin e tij deri në rrugën që përshkohet nga automjetet.

Më pas 20-vjeçari u transportua me ambulancë në qendrën shëndetësore të Thethit dhe pas ndihmës së parë mjekësore rezultoi se nuk ka asnjë problem për jetën dhe as dëmtime serioze fizike. /tvklan.al