Banorët e fshatit Borakaj të Shijakut prej 7 vitesh pa ujë të pijshëm (Video)

Banorët e fshatit Borakaj të Shijakut prej 7 vitesh pa ujë të pijshëm (Video)

21:21 02/07/2019

Banorët e fshatit Borakaj në Shijak, i janë drejtuar emisionit “Stop” sepse kanë një problem jetik, atë të mungesës së ujit prej 7 vjetësh. Ata janë ankuar në bashki dhe Ujësjellësin e Shijakut, por nuk kanë një zgjidhje. Banorët thonë, se u duhet të blejnë ujin, për të pirë dhe për t’u larë, ndërkohëqë edhe faturën e ujit e paguajnë.

Banori: Jemi 10 familje poshtë,  në fund të fshatit Borakaj, fillon periudha e ndërprerjes së shiut nuk kemi pikë uji deri në 20 Nëntor. Ne e blemë ujin nga 20 Prilli deri në 20 Nëntor, pikë uji nuk ka. Kemi shkuar për tu ankuar në bashkinë e Shijakut dhe tek ujësjellësi. Kur shkonim problemi zgjidhej brenda ditës, pastaj vazhdonte sërish avazi. Nuk na është zgjidhur problemi…

Banorja: Ne na vinë faturat dhe i paguajmë çdo muaj. Jemi të rregullt. Nuk kemi ujë, kërkojmë të lahemi si njeri. Në çezmat i kemi formalitet. Pse kur gjithë vendi ka ujë, dhe ne të blemë çdo ditë 10 mijë Lekë ujë, kur djali im nuk i bën 10 mijë Lekë në ditë, jemi 8 veta në shtëpi, si do jetoj. Lutemi kur të na hedhë Perëndia ujë, atëherë ne do lahemi.

Banorja: Lahen turistët, në kalbemi këtej, qelbemi….

Banori: Kur vjen ai djali për të marrë Lekët, ne i paguajmë, shikon sahatin dhe i paguajmë, edhe pse kemi 7-8 vite pa ujë, se nuk i mbaj mend tani.

Banori: Sot po punojmë dhe nuk kemi ujë të lahemi…

Banorja: Harxhojmë 210 mijë Lekë të vjetra, plus dhe fatura që vjen. Një rrogë e harxhojmë për ujin...

Banori: Këtu ka ujë vetë kur ka fushatë elektorale… me na i hudh një grusht ujë fytyrës…

Në Ujësjellësin e Shijakut, Përgjegjësi i sektorit thotë, se kjo problematikë është kudo në stinën e verës. Ai pretendon, se ky fshat ka ujë një orë në ditë, por njëkohësisht ujësjellësi po përpiqet të zgjerojë kapacitetin, duke nisur me shtimin e furnizimit fillimisht për qendrën.

Gazetarja: Ju keni qenë në dijeni gjatë kësaj kohe?

Përgjegjësi: Ne kemi qenë në dijeni për problematikën e zonës së Borakës.

Gazetarja: Kjo nuk është normale, që gjatë muajve të verës, që nga periudha maj, deri në tetor, mos të kesh ujë.

Përgjegjësi: Jo, jo është e vërtetë ajo. Unë s’po them, mos të kenë. Po në stinën e verës, rritet pak konsumi, të gjithë e dimë këtë, dakord? Tani, përsa i përket kësaj zone atje, normal, që nuk do i lemë pa ujë dhe ato atje. Do shohim gjithë mundësitë.

Gazetarja: Ka ndonjë problem kanalizimesh? Ka ndonjë problem tubacionesh? Ku qëndron problemi?

Përgjegjësi: Po mundohemi të shtojmë kapacitetin e prodhimit në Fushë-Krujë. Tani, kjo do pak kohë dhe ne me shtimin e kapacitetin atje, sepse uji, nuk mund të shtohet vetë. Ai ujë, që ka pas ardhur, ai vjen dhe sot. Dhe kjo është pak problem. Dhe kjo mund të ndodhi, që në zonën e caktuar, disa familje më përpara mund të marrin ujë dhe pjesa, që mund të jetë më fundore ose pikat fundore, që i themi ne, mund të kenë problematika me ujin.

Gazetarja: Pra, favorizohet nga qendra drejt periferisë, apo jo?

Përgjegjësi: Më kupton? Sepse Borakës i hapet uji dhe mund të jenë pikat fundore, që mund të kenë probleme.

Gazetarja: Kur është orari i ujit?

Përgjegjësi: Ne orarin e ujit, e kemi nga ora 10:00 deri në 11:00.

Gazetarja: Dhe ka qenë pikërisht orari, kur unë kam qenë sot atje dhe atje nuk kishte asnjë pikë uji.

Përgjegjësi: Tani, nga ana ime, nesër do ta verifikojë vetë personalisht këtë dhe do ju kthej një përgjigje.

/tvklan.al

 

 

 

LAJMET
Të ngjashme

KPT
KPT
UKT