Në qendrën shëndetësore në zonën e Kombinatit në Tiranë nuk kryhet shërbimi i ekografisë prej 1 viti e gjysmë. Ky është shqetësimi i banorëve të kësaj zone, të cilët janë ankuar pranë emisionit Stop në Tv Klan.

Qytetarët duhet të shkojnë në poliklinikë në zonën e 21 Dhjetorit dhe aty duhet ta planifikojnë kontrollin, gjë që shkon deri në 3 muaj.

“Jam banore e zonës Kombinat. Kam vajtur disa herë në qendrën shëndetësore në Kombinat për të bërë një eko dhe përgjigjia më është kthyer që është aparatura por nuk ekziston personel. Kemi 1 vit gati që gjithë njerëzit e kanë bërë te privati. Shkoj te mjeku i familjes, më jep rekomandim për të vajtur te 21 Dhjetori. Kur te 21 Dhjetori shkojmë planifikojmë për 2 muaj, 3 muaj se ka shumë njerëz. Dhe detyrohemi pastaj të shkojmë te privati që nuk e përballojmë dot. Kërkojmë nga ju që ta bëni problem që të rregullohet për gjithë banorët e zonës së Kombinatit se është shumë shqetësim i madh për të gjithë”, shprehet një qytetare.

Kamera e fshehtë e Stop shkoi në qendrën shëndetësore, ku punonjësit aty na thanë se nuk ka mjek imazherist pasi askush nuk ka aplikuar për vendin vakant. Mjeku që ishte ka dalë në pension dhe askush nuk ka shprehur interesin për këtë pozicion.

Stopi: Këto ekot ku bëhen?

Punonjësja: Ç’a eko?

Stopi: Barku!

Punonjësja: S’ka eko. Ka një vit e gjysmë, që s’ka eko. Ka dalë në pension ai.

Stopi: Po ku ta bëj unë atë?

Punonjësja: Shko tek 21-shi!

Stopi: Do zgjidhet? Se u meruam kështu, ik andej, hajde këtej?

Punonjësja: Ç’a të bësh?!

Gazetarja e emisionit Stop bisedoi me drejtuesin e qendrës shëndetësore, i cili tha se imazheristët preferojnë më shumë klinikat apo spitalet private dhe se tani çdo gjë varet nga Ministria e Shëndetësisë.

Drejtori: Qëndron problemi, se këtu nuk ka mjek imazherist. Domethënë është vendi vakant, ka dalë në portal, por nuk vjen njeri.

Gazetarja: Si ka mundësi, që prej një viti e gjysmë dhe askush nuk ka ardhur?

Drejtori: S’ka ardhur. S’ka kërkesa i bie.

Gazetarja: E keni bërë ju problematike, që prej një viti e gjysmë nuk kemi mjek?

Drejtori: Po, po! Sa herë, që na kërkohen vendet vakante, sepse na kërkohen cdo muaj, ose cdo dy muaj, e kemi cuar. Ne i referojmë tek 21-shi, po i bie goxha me vonesë, ngaqë janë me fasha orare. Nuk është puna se çalon pjesa nga ne.

Gazetarja: Se është shumë e çuditshme, në Tiranë mos të dojë një mjek imazherist të vijë këtu?

Drejtori: Po s’duan! S’duan të vijnë me 500 mijë lekë-600 mijë lekë, sa është rroga këtu. Duan të punojnë në privat me 2 milionë lekë. Sepse imazheria është një nga profesionet e kërkuara. Është e thjeshtë.

Gazetarja: Po të kishit mbajtur mjekun, që doli në pension të paktën! Ta kishit mbajt pak më shumë!

Drejtori: S’e di këtë pjesë. Shtyrjet e pensionit i bën Ministria.

/tvklan.al