Prej 3 javësh, banorët e pallatit 47 në lagjen Nr.3 të qytetit të Laçit, po flenë nëpër makina që prej tërmetit të 26 Nëntorit. Janë 12 familje banesat e të cilëve kanë pësuar dëmtime dhe ekspertët nuk kanë dhënë ende vendimin nëse objekti është i banueshëm ose jo.

Banorët denoncuan në emisionin “Stop” në Tv Klan pikërisht këtë situatë. Ata kërkojnë vetëm një përgjigje përfundimtare, nëse mund të banojnë në këtë pallat apo janë të rrezikuar.

Qytetari 1: Po fle jashtë në makinë me kalamajtë. Arsyeja është se s’kam siguri. Kanë ardhur në fillim që kanë bërë verifikimin, kanë thënë është e pabanueshme. Edhe unë deri sa të vijnë të më garantojnë, unë s’fus kalamajtë brenda.

Qytetari 2: Këto të gjitha kanë ardhur i kanë parë, këtu thonë jo, të ndiqet procedurë tjetër.

Qytetari 3: Ne nuk jemi dakord që të largohemi nga pallati. Ne kemi një kërkesë, vetëm të na bëhet e mundur ardhja e komisionit përfundimtar dhe të na shpjegojnë sa janë dëmet dhe si, është i banueshëm apo nuk është i banueshëm.

Qytetari 4: Unë e nusja flemë këtu (në makinë), kalamajtë rrinë në barake. Të gjithë bashkë atje.

Qytetari 5: Unë fle këtu (në makinë), banoj këtu që prej natës që ka rënë tërmeti, duke përjashtuar një natë që kam shkuar tek të afërmit e gruas.

Gazetarja e emisionit “Stop” shkoi në Bashkinë e Laçit për të kërkuar grupet e inspektimit që të verifikojnë pallatin 47 dhe të japin vlerësimin nëse është i banueshëm ose jo.

Gazetarja: Grupi i zyrës së emergjencës përsa i përket inspektimit të ndërtesave, ku janë?

Punonjësi i Bashkisë Laç: Besoj në terren.

Gazetarja: Me kë mund të kontaktojmë me ata?

Punonjësi i Bashkisë Laç: Në këtë moment s’kam informacion sepse siç e shihni unë po merrem me aplikimin e bonus qiraje.

Pas komunikimit në telefon me një prej grupeve të inspektimit, gazetarja e “Stop” takohet në terren me inxhinierin e këtij grupi, të cilit i kërkon bashkëpunim që të verifikojnë pallatin 47 dhe t’u japë banorëve një përgjigje.

Gazetarja: Duke ju kërkuar bashkëpunim dhe me emisionin “Stop”, do ju lutesha që të bashkoheni me mua dhe të shkojmë dhe të bëjmë pak verifikime. Janë 12 familje që po qëndrojnë jashtë dhe nuk dinë është i banueshëm apo s’është i banueshëm pallati.

Grupi i inspektimit të banesave: Ju falenderoj se jeni interesuar që ka ndodhur në rrethin e Kurbinit dhe në rrethet kryesore të Shqipërisë së Mesme. Është në proces inspektimi. Jemi dy grupe sot në qytetin e Laçit. Do të inspektohet edhe ai me përgjegjësi.

Banor i pallatit 47: Një herë ke ardhur ti në fillim, ne rrimë me kalamajtë jashtë. Po kalamajtë ku t’i mbaj? Janë me mësime, janë pa bukë. Është i vetmi pallat që është i dëmtuar nga bizneset edhe ju si bashki nuk bëni asnjë lloj hapi.

Inxhinieri: Do të ndërhyhet.

Me ndërhyrjen edhe të emisionit “Stop”, inxhinieri i këtij grupi zotohet që brenda ditës do të kryejë inspektimin e pallatit 47. Nga verifikimet e kryera në terren, rezultoi që pallati 47 është i pabanueshëm momentalisht, megjithatë do të duhet vendimi i një inspektimi të dytë që do të dalë në përfundimin nëse ky pallat mund të riparohet apo dëmet e shkaktuara kanë prekur strukturën.

Eksperti: Ky pallat është i pabanueshëm për momentin. Ne i kemi hedhur gjithë të dhënat në sistem. Qendra përpunon të dhënat dhe jep një mendim më të kualifikuar, do të shembet apo do të riparohet. Këto dëmtime kanë ardhur si rezultat i tërmetit në radhë të parë, si rezultat i kohës së gjatë të përdorimit të këtyre objekteve të ndërtimit, të kushteve në kondicione vullnetare pa kontrolle teknike, dhe së fundmi të ndërhyrje të qytetarëve.

Pas shpalljes si të pabanueshëm të pallatit 47, banorët morën në Bashkinë e Laçit bonuset e qirasë për të gjetur apartamente me qira dhe për të mos qëndruar më në makina. /tvklan.al