Asllan Himallari, administrator i një pallati me 4 hyrje në Yzberisht denoncon faktin se rreth 180 familje dhe 60 biznese në këtë pallat vuajnë mangësi të tilla si mungesa e parmakëve të shkallës, dyert e pallateve që të nxjerrin në tarracë të bllokuara, mungesën e fikseve të zjarrit, apo njërit ashensor. Pallati është ndërtuar në vitin 2015 nga “Aleksandros sh.p.k.” me administrator Arben Isufin.

Asllan Himallari:

Prej 3 vitesh jam zgjedhur administrator nga 180 familje dhe 60 biznese. Në momentin që unë mora detyrën si administrator konstatova disa problematika kryesore që janë problem për banorët. Në shkallën 3, nga kati 0 në katin e 9 mungojnë parmakët për të gjitha shkallët. Mungojnë fikëset e zjarrit dhe dalja e emergjencës në soletë është e bllokuar. Këtu jemi në shkallën nr. 4, në këtë shkallë mungojnë vetëm fikëset e zjarrit. Në shkallën nr. 2, në këtë shkallë mungojnë fikëset e zjarrit dhe dalja emergjente. Nuk ka. Në rast emergjence i kapën zjarri si miu në qark, si i themi ne. Banorët skanë ku të shkojnë. Këtu është shkalla nr. 1, këtu kemi mungesë të fikëseve të zjarrit, të një ashensori dhe dalja sipër, të cilën do ta shikoni vetë që është e mbyllur. 70 familje, të paktën nga 3 herë në ditë lëvizin, ai gjithë ditën punon. Unë kam shkuar kamë bërë regjistrimin e ashensorëve në Ministri të Financave dhe më thanë se 1 ashensor përballon 30 familje. Ky këtu ka 70 familje. Këtu jemi në katin e 8-të, shkalla nr. 1. Këtu duhej të ishte dalja për raste emergjente, ai e ka mbyllur me mur dhe ne nuk kemi ku të vemi. Ky tubi këtu që shikoni vjen nga kati i 8-të, por nuk arrin deri tek depozita ku do të merret uji. Ja ku përfundon tubi, i cili duhet të furnizojë tri shkallët me ujë në rast rreziku.

Gazetarja e Stop komunikoi edhe me ndërtuesin, i cili thotë se pallati është dorëzuar prej vitesh e nëse ka ankesa, lë t’i parashtrojë në një takim administratori i pallatit.

Ndërtuesi: Unë i kam vendosur, i kam mbaruar, i kam dorëzuar. Po ka ankesa, të paraqitet administratori pranë kompanisë. Kompania ka vite, që e ka mbaruar objektin.

Gazetarja: Po nuk e keni përfunduar, more zotëri!

Ndërtuesi:  Pranë kompanisë, ta verifikojmë atë ankesë, që kanë ata.

Gazetarja: Ashensori nuk është vendosur asnjëherë, fikset e zjarrit nuk janë vendosur asnjëherë, tubat poshtë janë lënë pa çuar në depozitë, që të marrin ujë për fikset e zjarrit.

Ndërtuesi: Të lutem, të lutem! Le të lërë kërkesë dhe të bëhet ballafaqim me administratorin!

Në bashki banorëve u kanë treguar derën e gjykatës, ose mangësitë t’i plotësojnë vetë./tvklan.al