Kundërshtojnë ekspertizën e Institutit të Ndërtimit

Banorët e pallatit të dëmtuar rëndë nga tërmeti në lagjen numër 5 kanë protestuar para Prokurorisë së Durrësit.

Ata e konsiderojnë objektin të pabanueshëm, bazuar në ekspertizat private që kanë bërë me iniciativën e tyre, ndryshe nga vlerësimi i Institutit të Ndërtimit.

Banorët akuzojnë Prokurorinë se po zvarrit procesin për të zbardhur çështjen.

“Nuk e kanë marr parasysh ekspertizën që e kam këtu po kanë dash me kalu te tërmeti i parë, por këta duan të stërhollojnë provat. Këtu fle krimi në prokurori. Ne kërkojmë mos të fshihen provat por të shembet pallati se janë njerëzit brenda”.

“Pallati është i devijuar. Ç’a riparimesh mund t’i bësh një pallati të devijuar 65 cm”. 

Pas dëmtimeve të konsiderueshme të dy tërmeteve të vitit të kaluar, banorët kanë bërë denoncim në prokurori duke paditur ndërtuesit për punime jocilësore.

Ndonëse rezultojnë në listat e familjeve që përfitojnë dëmshpërblim për dëmet e tërmetit, ata janë shprehur se nuk do të paraqiten për t’u bërë pjesë e kësaj skeme me shpresën se mund të merret një vendim për shembjen e tij.

Tv Klan