Banorët e pallatit 13 në rrugën “Ali Visha” në Tiranë, në vitet ’90 kanë ndërtuar një shtesë pallati, që sot rrezikon të shembet e t’i zërë brenda. Elez Peposhi tregon se njëra nga dhomat, ku krisja është e dukshme, nuk hapet e përdoret fare. Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, thotë se përgjegjësia për lejimin e shtesës është e bashkisë dhe hipotekës. Ai pohon se struktura që ai drejton e ka shpallur të pabanueshëm pallatin në fjalë, duke kërkuar të ndërhyhet. Emisioni “STOP” mësoi se dosja për këtë ndërtesë është në bashki, që në Dhjetor 2016, por ende nuk ka një afat se kur do të merren masa për zgjidhjen e problemit.

Elez Peposhi, njëri nga banorët e pallatit 13 në rrugën “Ali Visha”, rrëfen se po vendosin jetën në rrezik duke jetuar në shtesën e pallatit, i cili nga momenti në moment mund të shembet.

“Vitin e fundit është hapur komplet dhe ka krijuar bark. Po të mos ishte e lidhur lart me ndërtesën e kaluar, do kishte ikur, por ajo lidhje nuk është teknike, vjen një moment dhe shkëputet. Dhe tani që kemi hyrë ne këtu, kam frikë se mos shembet muri nga çasti në çast. Në këtë dhomë nuk mund të jetojmë, ka disa vite që as nuk e hapim derën. Ne jemi në rrezik, kush na kthen në jetë në në qoftë se ikim, kush bashkia? S’mund të na ndihmojë bashkia, vetëm të na japë lejen.“

Drejtori i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Shemsi Prençi u shpreh se nuk është kompetenca e tyre të japë leje as për prishjen e as për ndërtimin e shtesës sepse përgjegjësia është e bashkisë dhe e hipotekës, të cilat lejuan shtesën e pallatit.

“Ne inspektojmë dhe koordinojmë emergjencën civile dhe e adresojmë problematikën në institucionin kompetent. Ne kemi kërkuar që në këtë pallat duhet ndërhyrë. Tani, a do të ndërhyjë IKMT në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, apo bashkia do të bëjë një plan për ta prishur e rindërtuar pallatin, kjo është çështje e bashkisë. Ne e kemi shpallur të pabanueshëm!”

Gazetarja e emisionit “STOP” iu drejtua Bashkisë së Tiranës, ku  u deklarua nga zyra e shtypit se ankesa e emisionit “STOP” dhe e banorëve do të shqyrtohet. Nga burime konfidenciale të emisionit mësohet se grupi i emergjencave civile si në Ministrinë e Brendshme, ashtu edhe në bashki, në Dhjetor të vitit 2016,  kanë përpiluar një raport për rrezikshmërinë që paraqet ky pallat.

Urojmë dhe shpresojmë që deri kur t’i vijë momenti shqyrtimit të ankesës, të mos ketë ndodhur ndonjë katastrofë./tvklan.al