Disa banorë të fshatit Zvezdë të Korçës denoncuan në emisionin “Stop” vjedhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Një banor u shpreh

: “Prindërit donin të paguanin sigurimet për pensioni. Njohëm një person këtu që punonte te sigurimet, i cili u nxorri nga 12 vite punë, 2 milionë e 600 mijë lekë për të paguar për person. I dhamë lekët dhe pas 1 jave na solli një vërtetim pagese dhe të viteve të punës, të cilat dolën false. Lekët nuk ishin hedhur në shtet, por i kishin mbajtur vetë”.

Ndërsa një tjetër tha:

“Edhe unë si të gjithë shokët e kuptova mashtrimin te sigurimet, ku pamë që nuk ishin hedhur lekët”.

Ata i kanë dhënë punonjësit të sigurimeve Ardit Shpati paratë për t’i derdhur si kontribute private, por librezat janë vulosur dhe paratë nuk janë derdhur.

Punonjësi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, që u grumbulloi paratë banorëve, prej 2 muajsh është larguar nga detyra. Në një bisedë të regjistruar Ardit Shpati tha se nuk i ka mbajtur ai paratë, por çdo gjë e ka bërë me shefin e kontributeve që kishte dhe vulën.

Ardit Shpati:

Ore tani si mendon? E kam bërë unë?

Qytetari: Ti i merrje lekët e i jepje atij?

Ardit Shpati:

Ia jepja atij, bre vëlla tani! Si e merrja vërtetimin? Si e firmosja unë?

Qytetari: Ja dorëzoje drejtorit?

Ardit Shpati:

Shefit të kontributeve. Ai më thoshte mua kshu, kshu… Unë ia jepja lekët, ai më jepte vërtetimin.

Qytetari: Po mirë, nuk ka ai lekë që të na i kthejë mbrapsht?

Ardit Shpati:

Ore, i kam thënë, i kam vajtur dhe në shtëpi. Madje i vajta në shtëpi dhe e kërcënova. Nuk i kam ngrënë unë tërë këto lekë, bre!

Qytetari: Ke marrë 5 milionë e 200 mijë në dorë.

Ardit Shpati:

Ore, pse tani, s’e di unë?! Mua më jepte vërtimin.

Qytetari: Ç’është ai mirëbesim? Si e merr atë iniciativë?

Ardit Shpati:

Dorëzoje vërtetimin ti, dija unë sesi m’i bënte mua gjërat, mua ashtu ai.

E di sa është shuma? Rreth 25 milionë lekë.

Pas pohimit të Ardit Shpatit për mashtrimin në bashkëpunim, gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të pyetur se kush do ta paguajë dëmin e shkaktuar.

Drejtori i ISSH Korçë, Ilirjan Bajlozi shpjegoi se punonjësit e këtij institucioni kanë shfrytëzuar aksesin për përdorimin e vulës, ndaj dhe e kanë shfrytëzuar për të mashtruar banorët.

“Vërtetë jemi para një situate të vështirë. Ardit Shpati, i cili ka qenë në detyrën e inspektorit, ka bërë një mashtrim duke iu marrë lekë banorëve dhe duke falsifikuar dokumentet zyrtare në bashkëpunim me kryetarin e Degës së Kontributeve në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Korçë. Kemi bërë kallëzim penal për Kristaq Katundin në prokurori”,

u shpreh kreu i ISSH.

Personat e prekur nga skema e mashtrimit janë 28 dhe dëmi financiar ka arritur vlerën e 28 milionë lekëve të vjetra. Ai shtoi se Ardit Shpati dhe Kristaq Katundi janë pushuar nga puna për mosrealizim të detyrave të tyre, pasi skema e ndërtuar prej tyre nuk lejonte ngritjen e dyshimeve.

Ilirjan Bajlozi tha se pasi të zbardhet çështja, ISSH do të marrë një vendim se çfarë do të ndodhë me paratë e banorëve.

/tvklan.al