Për rreth 20 minuta është bllokuar kalimi në autostradën Lushnje-Fier mëngjesin e kësaj të shtune. Klan News raporton se banorët e zonës kanë dalë në protestë pasi kundërshtojnë vendosjen e barrierave metalike në një kryqëzim.

Gazetarja Anila Sefa bëri me dije se në dy anët e autostradës radha e makinave në pritje të lirimit të rrugës shkoi deri në 3 kilometra. Aktualisht rruga është liruar dhe e hapur për kalimin e automjeteve. Atje ndodhet edhe policia.

Të premten, Autoriteti Rrugor Shqiptar vendosi mbylljen e kryqëzimit të quajtur “pushimi i shoferit” në autostradën Fier-Lushnje.

Barrierat e vendosura do të pengojnë kalimin mes për mes autostradës të automjeteve dhe këmbësorëve. Në atë pikë ndër vite janë shënuar me dhjetëra aksidente fatale dhe ndryshe vendi ka marrë emrin “kryqëzimi i vdekjes”. Mbikalimet thuajse nuk përdoren nga banorët e fshatrave përreth.

Po edhe pse mbyllja e kësaj njolle të zezë ishte kthyer në një nevojë emergjente, sërish banorë dhe drejtues te automjeteve nga e zonat e Krutjes, Kemishtajt e Divjakës thonë se ky vendim do të shtojë kostot e lëvizjes së tyre./tvklan.al