Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 16-vjeçar ndërsa ka shpallur në kërkim një 15-vjeçar dhe ka proceduar në gjendje të lirë 4 adoleshentë të tjerë.

Banorët e fshatit Hot i Ri dhe Grudë e Re kanë njoftuar policinë se disa të rinj po qëllonin me armë zjarri. Pas informacionit të marrë forcat “Shqiponjat” dhe disa Patrulla të Përgjithshme, lokalizuan vendin dhe neutralizuan adoleshentët, njëri prej të cilëve mundi të largohej.

Në vendngjarje u gjet një armë zjarri automatik, e cila rezultoi se i përkiste shtetasit E. Z.. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Z., 16 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe ”Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Në lidhje me këtë ngjarje është bërë shpallja në kërkim e shtetasit K. F., 15 vjeç, banues në fshatin Grude e Re, të Bashkisë Shkodër, po për të njëjtat vepra penale.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe katër adoleshentë të tjerë, të moshës 15 e 16 vjeç, për veprën penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”. /tvklan.al