Protestës së studentëve të Universitetit Bujqësor që kundërshtojnë ndërtimin e 2 shkollave të reja në një hapësirë pranë Universitetit, i janë përgjigjur banorët e Kodër – Kamzës.

Banorët kërkojnë ndërtimin e shkollave të reja, duke e cilësuar një domosdoshmëri për 30 mijë banorëve që jetojnë në këtë zonë.

Studentët këmbëngulin që kjo hapësirë duhet t’i përkasë Universitetit dhe kërkojnë që shkolla 9 vjeçare dhe gjimnazi të spostohen më tutje.

Rektorati dhe studentë të Universitetit Bujqësor vijojnë prej 5 ditësh protestat duke kundërshtuar ndërtimin e 2 shkollave të reja. Rektori Bahri Musabelliu pretendon se trualli është pronë e universitetit, por nuk ka paraqitur deri tani asnjë dokument hipotekor që e vërteton këtë. Në certifikatën e pronësisë, trualli prej 8963 metrash i përket Bashkisë së Tiranës, që e ka blerë nga pronarët.

Tv Klan