Tatimet do të nisin që prej të enjtes daljet në terren për të kontrolluar dhe asistuar 14 mijë biznese në fushën e bareve dhe restoranteve që të plotësojnë deklaratën e saktë të të ardhurave. Fillimin e planit të kontrollit e njoftoi Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Enton Duro, i cili tha se plani dhe zbatimi do të bëhet me ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Ky plan është hartuar me asistencën e ngushtë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili do të ndjekë në vijimësi edhe zbatimin e tij, duke sjellë për herë te parë në Shqipëri praktikën tatimore të trajtimit të riskut me metodologji bashkëkohore.”

Çdo bar apo restorant do të vihet në dijeni në mënyrë të personalizuar se çfarë treguesish nuk ka deklaruar në rregull dhe për pasojat që ka fshehja e xhiros. Gjoba do të merret vetëm nëse ata qëllimisht zgjedhin të mos jenë korrektë me ligjin.

“Qëllimi ynë nuk është të penalizojmë, por të marrim angazhimin e tyre për përmbushje në të ardhmen-një tatimpagues korrekt nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Nëse qëllimshëm zgjedhin të mos jenë, atëherë administrata tatimore do të vijojë me vlerësimet sipas legjislacionit në fuqi.”

Tatimet do t’u lejojnë bizneseve që të vetëkorrigjojnë deklarimet e bëra gabim. Përzgjedhja e bareve e restoranteve ka të bëjë me rëndësinë që ka ky sektor në lidhjet me degët e tregtisë, hotelerisë e turizmit.

Tv Klan