“Histeria fashiste po turpëron shqiptarinë”

Kryeministri Rama e ka mbajtur të ndezur debatin për ardhjen e këngëtarit serb Goran Bregoviç në Shqipëri duke ju kthyer përgjigje atyre që kanë komentuar mesazhin që ai dha në rrjetet sociale një ditë më parë për këtë çështje.

Rama ka sqaruar se nuk ka hequr një vijë barazimi mes Bregoviçit dhe Dua Lipës kur tha se njësoj siç i kundërvihen serbët këngëtares shqiptare kur pozon me flamurin kuqezi po i kundervihen pa arsye shqiptarët këngëtarit serb.

“Ashtu siç bënë Bregoviçin kriminel serb pa asnjë fakt, tani sokëllijnë që unë paskam barazuar Dua Lipën me të! Dhe histeria vazhdon por jo, unë nuk kam barazuar hiçfare Dua Lipën me Goran Bregoviçin, po kam thënë me një shembull të vërtetën e hidhur se të barabartë, njësoj krejt janë ata që shajnë e mallkojnë, në serbisht a në shqip, artistët e sportistët me emër të palës tjetër”.

Të gjithë debatin që ngjalli ftesa që ju bë këngëtarit serb për të qenë pjesë e festës së birrës në Korçë, Kryeministri e ka cilësuar sërish histeri fashiste.

“Histeri fashiste që as nuk e mbron, as e nderon, po vetëm e turpëron shqiptarinë, e cila s’mund të jetë kurrë shembëlltyrë e urrejtjes”.

Në përgjigje të komenteve që pasuan këtë postim, Kryeministri u ka kërkuar ndjekësve të tij në Facebook që mos të urrejnë një muzikant vetëm pse flet gjuhën e tjetrit, siç bëjnë serbët me ata që flasin gjuhën tonë.

Tv Klan