Anëtarët e klubit të Barcelonës miratuan një paketë financiare me vlerë 1.5 miliardë euro për rinovimin e stadiumit “Kamp Nou”, edhe pse klubi është në mes të një krize financiare.

Aprovimi u bë nëpërmjet një votimi online, ku morën pjesë 42,693 anëtarë që mbështetën projektin e kushtueshëm.

Ndërsa 5055 persona votuan kundër dhe 875 abstenuan. Më shumë se 40% e anëtarëve të klubit zgjodhën që të shfaqinin qëndrimin e tyre. Projekti që quhet “Espai Barca” do të financohet nga palë të treta.

Por të shumtë janë anëtarët e shqetësuar, nisur nga fakti që borxhi i blaugranave është mbi 1.1 miliardë euro. Për këtë arsye, presidenti Hoan Laporta kërkoi referendum për vazhdimin e projektit. Rinovimi i stadiumit të ri pritet që të përfundojë në 2025, ndërsa pjesë të impiantit do të mbyllen për sezonin 2022-23.

Ndërsa në sezonin pasardhës, ekipi katalanas do të luajë në një tjetër stadium, që do të ketë një kapacitet me 105000 vende. Risia do të jetë një sipërfaqe prej 30 mijë metra katrorë me panele solarë, ku do të sigurohet energjia.

Klan News