UEFA ka hedhur poshtë një apel të Barcelonës për një gjobe me vlerë 500,000 euro për shkelje të rregullave të Fair Play Financiar. Institucioni i futbollit europian tha se klubi blaugrana u gjobit me 500,000 euro për të dhëna të gabuara në raportin e vitit financiar 2022, në lidhje me fitimet nga asetet, përveç transferimeve të lojtarëve, të cilat nuk konsiderohen si të ardhura të përshtatshme referuar rregullores.

Disa klube të njohura europiane, duke përfshirë Paris St Germain, Milan dhe Inter, që bënë marrëveshje me UEFA-n në shtator të vitit të kaluar, kanë përmbushur objektivat e vendosura për vitin financiar 2022. Ndërkohë blaugranat vazhdojnë përgatitjet për sfidën e radhës në La Liga kundër Sociedad në transfertë.

Ata janë në vend të katërt me 24 pikë. Sociedad nuk ka humbur asnjë takim në këtë sezon në shtëpi dhe gjendet pesë pikë pas Barçës në vendin e pestë. Blaugranat kanë fituar në tre ndeshjet e fundit në La Liga në “San Sebastian” dhe janë të pamposhtur në shtatë përballjet e fundit në kampionat atje. Trajneri Çavi Hernandez do të ketë të gatshëm mesfushorin Pedri, i përfshirë në ekip pas më shumë se dy muajsh mungesë për shkak të lëndimit.

Klan News