“El Clasico” edhe këtë herë do të luhet pa tifozë në stadium. Ky është vendimi i marrë nga qeveria katalanese për ndeshjen e radhës në Camp Nou mes Barcelonës dhe Real Madrid.

Po ashtu Barcelona do të zbresë në fushë pa tifozë dhe në ndeshjen e Champions League kundër Ferencvaros, skuadër me të cilën luan dhe sulmuesi shqiptar Myrto Uzuni.

Ministri katalunas i shëndetësisë, Alba Verges, dhe sekretari katalan i shëndetësisë Josep Maria Argimon, kanë treguar vendimin e tyre në media dhe u shprehën se nuk mund të hapeshin stadiumet në këtë moment.

Nuk mund të futemi në aventura.  Situata është e vështirë dhe nuk mund të ketë tifozë në ndeshjet që Barcelona do të luajë më 20 tetor dhe 24 tetor”, është shprehur ministri.

Autoritetet kanë thënë se do shihet në ditët në vijim dhe ecuria e COVID-19 për të vendosur se si mund të veprohet në javët në vijim.

Barcelona kishte kërkuar që hapte stadiumin për ndeshjet e radhës dhe të kishte në përkrahje të lojtarëve rreth 30 mijë tifozë./tvklan.al