Messi në kërkim të golit të 700

Barcelona vuajti sërish, por në fund doli me tre pikë nga ndeshja. Kësaj here ndaj Athletic Bilbao në “Camp Nou”, por ajo që ka vlerë është fitorja 1-0, me një gol të Rakitic. Suksesi vlen shumë pasi katalanasit marrin kreun, me Real Madrid që ka një ndeshje më pak.

Barcelona shënoi golin e vetëm kundër Athletic Bilbao në minutën e 71’. Autori i golit ishte Ivan Rakitic, i cili shfrytëzoi në mënyrën më të mirë asistin e mrekullueshëm të marrë nga Leo Messi.

Argjentinasi u mundua shumë, por goli i 700 i tij në karrierë ende nuk po vjen. Këtë 24 Qershor ai mbushi 33 vjeç dhe do ta festojë me rekordin e 250 pasimeve të sakta për gol në skuadrën e tij.

Vijon paraqitja negative e Griezmann, francezi nuk e priti mirë zëvendësimin. Këtë e tregoi duke mos dalë nga fusha në vendin e caktuar por te porta e kundërshtarit.

Baskët e Bilbao ishin të pafuqishëm për t’u kundërpërgjigjur, kurse nga ana tjetër Barcelona menaxhoi më së miri. Tashmë katalanasit do të mbajnë sytë nga sfida e Real Madrid dhe do të bëjnë tifo për Mallorca.

Tv Klan