18-vjeçari firmos deri në 2027, klauzolë 1 miliard euro

Barcelona vijon të blindojë yjet e saj në skuadër. Skuadra katalanase ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me pasardhësin e Lionel Messi në “Camp Nou”, Ansu Fati. Talenti vetëm 18-vjeçar do të jetë pjesë e Barcelonës për të paktën deri në vitin 2027.

Fati ka firmosur rinovimin e një kontrate që skadonte vitin e ardhshëm me 5 vite të tjera, duke u bërë edhe futbollisti me klauzolën më të çmendur në qarkullim së bashku me spanjollin tjetër, Pedri. Të dy lojtarët kanë klauzolë 1 miliard euro, çka është më e larta e vendosur ndonjëherë për një futbollist.

Kjo do të thotë shumë për të ardhmen e Fati, me Barcelonën që beson shumë tek ai. Diçka e tillë u pa dhe pas largimit të Messi, ku numri 10 shkoi në shpinën e talentit të lindur Guinea. Tashmë Fati duhet të fokusohet totalisht në fushë, ku ka vendosur dhe rekordet e para në karrierë.

Klan News