Messi afrohet me Dani Alves për tituj të fituar

Barcelona shkëlqen dhe merr trofeun e parë në këtë sezon. Katalanasit janë fituesit e Kupës së Mbretit për edicionin 2020-2021. Skuadra e drejtuar nga Ronald Koeman bëri detyrën ndaj Athletic Bilbao, duke triumfuar me shifrat e thella 4-0.

Pas një dominimi të nisur që në minutën e parë dhe pasi u ndal nga shtylla dhe fati i keq, Barcelona më në fund zhbllokoi finalen e Copa del Rey në Sevilla, duke shënuar me anë të Griezmann në minutën e 60-të. 

Menjëherë më pas ka ardhur edhe goli i dytë i ekipit të Koeman. Pikërisht De Jong, magjik tek asisti i parë, realizoi me kokë brenda zone. Barcelona çlirohet plotësisht dhe në minutën e 68-të vjen goli i tretë me autor Messin.

Argjentinasi shënon në shtatë finale të Kupës së Mbretit, asnjë si ai me 9 gola në total! Por magjia e tij nuk do të mbaronte këtu, pasi në minutën e 72-të shënon sërish, duke çuar shifrat në 0-4. Messi ngre trofeun e 35 në karrierë, duke iu afruar Dani Alves, që ka 39.

Ndërkaq, Barcelona fiton për herë të 31-të këtë trofe, ndjekur nga Bilbao me 23 herë. Baskët regjistrojnë dhe një rekord negativ, pasi humbasin finalen e dytë të Kupës së Mbretit në harkun kohor të 2 javëve.

Klan News