Barcelona mori një fitore shumë të rëndësishme, por të vuajtur ndaj Leganesit, me rezultatin 0-1. Katalanasit iu falën një autogoli, për të marrë 3 pikët dhe vazhdojnë të qetë në krye të renditjes.

Në minutat e fundit, vendasit ishin pranë barazimit, por Inigo Martinez, bëri një ndërhyrje vendimtare, për të ndalur kundërshtarin, që ishte përballë portierit.

Te ky rast u ndal edhe trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, i cili deklaroi se festoi sikur të kishte shënuar gol.

Ndër të tjera, tekniku katalanas tha se është krenar me formën e treguar nga ekipi i tij.

“Ishte një ndeshje e vështirë, por fitore shumë e rëndësishme. Jam krenar për atë që ka bërë ekipi im në javët dhe muajt e fundit.

Shoh angazhimin e të gjithëve dhe kjo më lumturon. Ndërhyrja e fundit e Inigo Martinez ishte perfekte. Po, është e vërtetë, e festova sikur kishim shënuar një gol. Martinez jo vetëm që po bën mirë, por ka na dhënë një ndihmë të rëndësishme”, tha Flick.

Barcelona mban vendin e parë me 70 pikë, 7 më shumë se Reali i vendit të dytë, por madrilenët kanë një ndeshje më shumë për të luajtur. /tvklan.al