Pochettino: Në kthim duhet të luajmë njësoj

Triumfi 4-1 i Paris Saint Germain në fushën e Barcelonës e afron ekipin francez me çerekfinalet e Champions League. Një super Mbappe eklipsoi Messi-n. Sulmuesi i Paris realizoi 3 herë në Camp Nou.

Këtë më parë e kishte arritur Shevchenko me Dynamo Kiyv dhe Faustino Asprilla me Newcastle. Por edhe pse fitorja ishte e thellë trajneri Mauricio Pochettino do të presë edhe ndeshjen e kthimit.

“Ishte një paraqitje e mirë, por e dimë që ky duel zgjat 180 minuta. Jam i lumtur për rezultatin, pasi na jep bsim për ndeshjet që do të vijnë. Në Paris duhet të luajmë me të njëjtin ritëm”.

Një hap përpara bëri edhe Liverpool që mundi me rezultatin 2-0 Leipzig në Budapest. Në ndeshjen e zhvilluar në fushë asnjanëse për shkak të masave antiCovid që ka Britania e Madhe golat u shënuan nga Salah e Mane gjatë pjesës së dytë.

Takimet e kthimit do të zhvillohen më 10 mars. Sot do të luhen edhe ndeshjet Porto-Juventus  dhe Sevilla-Borussia Dortmund.

Tv Klan